KLSH zbulon skandalin, Bankers 12 vite me humbje, miliona dollarë humbje shtetit nga skema abuzuese

Megjithëse operon prej 12 vitesh në Shqipëri në fushën e prodhimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve, Bankers Petroleum rezulton po prej aq vitesh një kompani me humbje, duke i shkaktuar shtetit shqiptar një humbje në disa miliona dollarë. Në këtë konkluzion skandaloz ka arritur Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një auditimi të ushtruar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Albpetrol Sha për procedurën dhe rezultatet e marrëveshjeve hidrokarbure, duke u fokusuar në ato në fazë zhvillimi dhe prodhimi me përqendrim në fushën naftë-mbajtëse më të pasur të Patos-Marinzës. “KLSH është e shqetësuar për mungesën e fitimit të shtetit shqiptar nga marrëveshja hidrokarbure në fazë prodhimi për fushën naftë-nxjerrëse të Patos-Marinzës. Kjo pasi, nga auditimet e rregullshmërisë në AKBN dhe Albpetrol ShA gjatë 4-5 viteve të fundit, ka rezultuar se faktori R është më i vogël se 1 (Raporti i shpenzimeve të kryera me të ardhurat e realizuara nga shitja e naftës brut), duke shfaqur dhe performancën e dobët të veprimtarisë së tyre në këtë drejtim”, thuhet në raportin e KLSH

Marrveshja me Bankers

Një nga marrëveshjet hidrokarbure më të rëndësishme për vendin tonë është ajo për vendburimin e Patos – Marinzës (njihet si një nga zonat naftëmbajtëse më të mëdha në Evropë), e cila është nënshkruar me datë 19.06.2004 dhe miratuar me VKM nr. 477, datë 16.07.2004. Sipas të dhënave për prodhimin e naftës në vitin 2015, 92% e naftës brut i përket kompanisë Bankers Petroleum me të cilën është nënshkruar marrëveshja për këtë vendburim, duke u bërë kështu përcaktuese për zhvillimin e sektorit hidrokarbur në Shqipëri. Sipas marrëveshjes me ndarje prodhimi të nënshkruar për këtë vendburim, shteti shqiptar vitet e para përfiton prodhimin paraekzistues për puset e marrë në dorëzim nga Albpetrol ShA dhe 1% të prodhimit gjithsej. Bazuar në planin e zhvillimit fillestar, në vitin 2009 dhe më pas në atë të ndryshuar në vitin 2011, Bankers do të arrinte që me të ardhurat të mbulonte shpenzimet (kostot) hidrokarbure, duke bërë të mundur që të përfitohej nga pala shqiptare 50% e fitimit si dhe 3% e prodhimit gjithsej. Por siç konstaton KLSH, në fakt edhe pas 12 viteve shfrytëzim të vendburimit të Patos-Marinzës, Bankers nuk ka arritur të dalë me fitim, duke i kufizuar përfitimet e shtetit shqiptar vetëm në 1% të prodhimit, në 10 % të rentës minerare, si dhe në zvogëlim të vazhdueshëm të prodhimit paraekzistues. Veç të tjerave, për këtë ecuri të tillë të kësaj marrëveshje në lidhje me nivelin e ulët të përfitimit nga kjo zonë e pasur naftëmbajtëse, KLSH fajëson dhe performancën e ulët të institucioneve shtetërore ME, AKBN dhe Albpetrol Sha nëpërmjet shqyrtimit, analizimit dhe miratimit të planeve të zhvillimit, programeve dhe buxheteve vjetore, kryerjes së monitorimeve, inspektimeve, kontrolleve, supervizimeve, auditimeve etj. “Mungesa e një kuadri rregullator të përditësuar sipas modeleve më të mira bashkëkohore dhe mospërcaktimi i saktë dhe i qartë i të drejtave, detyrimeve dhe penalizimeve në marrëveshjet 4 hidrokarbure, si dhe performanca e dobët e veprimtarisë së institucioneve publike në këtë fushë, e shoqëruar me një mungesë bashkëpunimi dhe bashkërendimi të veprimtarisë ndërmjet tyre në lidhje me monitorimin, inspektimin, kontrollin dhe auditimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, ka ndikuar negativisht në arritjen e përfitueshmërisë ekonomike dhe financiare të shtetit shqiptar, duke rrezikuar përdorimin racional të burimeve nëntokësore të naftës, si dhe duke kërcënuar mjedisin”, konkludon KLSH.

Rekomandimet

Nisur nga këto rezultate, KLSH i sugjeron Ministrisë së Energjisë, që të marrë masat e nevojshme për të hartuar dhe propozuar një ligj të ri për hidrokarburet, duke u konsultuar me entet publike që veprojnë në fushën e hidrokarbureve (AKBN dhe Albpetrol ShA) për të ezauruar problematikën e shfaqur deri tani nga zbatimi i tyre, si dhe për ta harmonizuar me sistemin legjislativ kombëtar dhe atë ndërkombëtar të fushës. KLSH kërkon gjithashtu që brenda tremujorit të parë 2017, MEI të propozojë miratimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve në Kuvend, me qëllim sigurimin e një modeli dhe treguesve të tyre me mbështetje sa më të gjerë, si dhe të shmangë mbylljen e ciklit të vendim-marrjes brenda qeverisë, kjo për shkak dhe të kohëzgjatjes me periudha që kalojnë mandatin e një qeverie. Po ashtu, KLSH sugjeron që MEI të marrë masat e nevojshme për të përfunduar rregulloren “Për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri”, për të mbështetur dhe siguruar rolin rregullator dhe kontrollues të shtetit nëpërmjet organeve, strukturave dhe institucioneve, si dhe për një përputhje të plotë me Direktivën 94/22/EC.

Share

AMS.AL është themeluar me qëllim që të ofrojë produkte dhe shërbime profesionale në fushën e prezencës online dhe në web; faqe interneti që përmbushin çdo nevojë, si edhe ofrimi i shërbimeve të marketingut online për listim dhe verifikim në google. Gjithashtu, ne kemi realizuar zhvillimin e një platforme online e dedikuar për shërbimet dhe bizneset lokale, e cila ofron shërbime të marketingut online për listim dhe verifikim në google, duke përfshirë opsione falas.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

15 + three =