Skandal! Rroshi firmos ende si kryetar bashkie

Elvis Rroshi vijon të qëndrojë në detyrë si kryetar Bashkie të Kavajës, ndonëse KQZ-ja ia ka hequr mandatin, ndërsa vetë Kryeministri Rama njoftoi se në 30 dhjetor 2016 kishte shkarkuar Rroshin, me vendim qeverie. Ish-kryeministri Berisha publikoi dje një dokument që fakton korrespondencën zyrtare si kryebashkiak i Kavajës nga ana e tij me vetë titullarin e institucionit të KQZ që dy muaj më parë faktoi se, Elvis Rroshi ishte në shkelje të ligjit pas kërkesës së sjellë nga organi i akuzës. Bëhet fjalë për një shkresë zyrtare të datës 20 shkurt, ku në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Rroshi i ka kthyer përgjigje Kryetarit të KQZ-së, Denar Biba lidhur me vendndodhjen e KZAZ-së për zgjedhjet e 18 qershorit.
Ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar një dokument nga Banditistani! Sipas tij, Kryebanditi mashtron shqiptarët se e ka shkarkuar si kryetar bashkie përdhunuesin, njeriun me pesë emra, trafikantin Ervis Rroshi! “Një dokument nga Banditistani! Kryebanditi mashtron shqiptarët se ai ka shkarkuar si kryetar bashkie përdhunuesin, njeriun me pesë emra, trafikantin Elvis Rroshi! Por dokumenti i datës 20.2.2017 me firmë dhe vulë dëshmon dhe e nxjerr cullak Ramën ashtu siç është mashtrues ordiner dhe i paskrupullt që përdor postin për të mashtruar qytetarët!”, shkruan Berisha.
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi u shkarkua zyrtarisht nga detyra në fund të muajit dhjetor të vitit të shkuar, pasi iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Heqja e mandatit u pasua me shkarkim nga detyra nga kryeministri Rama. Por rreth dy muaj nga ky vendim, Elvis Rroshi me mbështetjen e Ramës, vijon të qëndrojë në detyrë si kryetar i Bashkisë së Kavajës, duke sfiduar shtetin ligjor. Para dy javësh, ai paralajmëroi organizimin e një aktiviteti me fëmijë. Në një afishe të publikuar nga Bashkia Kavajë, shkruhej se, “nën kujdesin e kryetarit Elvis Roshi do të organizohet një koncert për fëmijë”.

Rroshi i dënuar në Itali për përdhunim e trafik droge

Elvis Rroshi ka qenë i dënuar në disa shtete si, në Itali për përdhunim në grup dhe trafik droge, në Zvicër për trafik droge dhe në Gjermani për trafik droge. Prokuroria i kërkoi KQZ-së heqjen e mandatit të Elvis Rroshit pas përgjigjes së mbërritur nga autoritetet italiane, të cilat bëjnë të ditur se (Ervin ose Elvis Rroshi) ka qenë i dënuar për veprën penale të “përdhunimit në grup” në vitin 1992. Sipas dokumentacionit të Ministrisë së Drejtësisë së Italisë dhe Çertifikatës Gjyqësore mësohet se, vendimi ndaj Elvis Rroshit, asokohe me emrin Ervin Rroshi, është dhënë më datë 13 nëntor të vitit 1992, nga Gjykata e Minorenëve të Campobassos së Italisë.
Rroshi është dënuar për veprën penale të përdhunimit, ose siç njihet në Kodin Penal italian, “violenza carnale”, neni 519. Në Kodin Penal italian, neni 519, thotë se: “Kushdo që me dhunë ose kërcënim detyron dikë tjetër të kryejë marrëdhënie seksuale, është i dënuar me burgim nga 3 deri në 10 vjet”.
Kësaj vepre penale i është shtuar dhe kryerja e veprës penale në bashkëpunim, çka sipas vendimit të Gjykatës, i lëshuar më datë 13 nëntor të vitit 1992, Elvis Rroshi është dënuar me një vit e katër muaj burgim. Asokohe, Elvis Rroshi ka qenë rreth moshës 17 vjeç, ndaj vendimi është dhënë nga Gjykata e Minorenëve të Campobasos së Italisë. Për këtë vendim, sipas dokumentit të ardhur nga autoritet italiane, rezulton se është kërkuar rrëzimi në Apel, por Gjykata e Apelit për Minorenët në Campobasso ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm, me vendim të datës 28.02.1995.
Sipas Prokurorisë, Roshi nuk ka deklaruar një dënim të vitit 1995 në Itali, një dëbim nga Zvicra në vitin 1993, pasi është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe një dëbim të dytë nga Zvicra në vitin 1997. Sipas Prokurorisë, ai ka fshehur gjithashtu faktin se ka përdorur pesë emra të ndryshëm në lëvizjet e tij në Europë. Në maj të vitit 2016, Rroshi deklaroi publikisht dorëheqjen, që nuk u zyrtarizua asnjëherë. Pas arrestimit me akuzën e “falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, Gjykata vendosi hetimin e tij në gjendje të lirë. Rroshi u rikthye në krye të Bashkisë pas shuarjes së masës së arrestit.
Më 31 maj 2016, Elvis Rroshi dha dorëheqjen si Kryetari i Bashkisë së Kavajës, duke pranuar se ka qenë dënuar në Itali pa dijeninë e tij në një kamp refugjatësh. Rroshi tha se nuk ka bërë ndonjë ditë burg për këtë gjë, edhe pse dënimi ndaj tij është dhënë nga një Gjykatë Minorenësh, pasi ishte 17 vjeç. Pas tre ditësh, Rroshi u tërhoq nga dorëheqja, duke deklaruar se do të vijonte të ishte kryetar Bashkie. Në 30 dhjetor 2016, Rroshi u shkarkua nga detyra me vendim qeverie, por me mbështetjen e  Ramës, ai vazhdon të kryejë funksionet e krybashkiakut.

R.POLISI

Share

AMS.AL është themeluar me qëllim që të ofrojë produkte dhe shërbime profesionale në fushën e prezencës online dhe në web; faqe interneti që përmbushin çdo nevojë, si edhe ofrimi i shërbimeve të marketingut online për listim dhe verifikim në google. Gjithashtu, ne kemi realizuar zhvillimin e një platforme online e dedikuar për shërbimet dhe bizneset lokale, e cila ofron shërbime të marketingut online për listim dhe verifikim në google, duke përfshirë opsione falas.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

13 + 13 =